"Dollama, një pasuri kulturore e Kosovës"

Dollama.org synon të ndihmojë gratë që kanë mbaruar trajnimin për prodhimin e dollamave (veshje tradicionale për nuset në Kosovë) për t’i vendosur në kontakt me blerës potencial, duke shërbyer kështu si një platformë për promovimin e punësimit të grave. Për të lehtësuar këtë rrjetëzim, platforma përmban informacionet e kontaktit të të gjitha grave të trajnuara, për të aplikuar këtë zanat përmes mbështetjes së projektit.

Mjeshtëria tradicionale është ndoshta manifestimi më i prekshëm. Një traditë e tillë është punimi me dorë i dollamës, një veshje tradicionale për nuset në Kosovë. Dollama, krahas zakoneve të tjera tradicionale përdoret në dasma dhe ceremoni tjera të organizuara nga qytetarët në Kosovë dhe diaspora e saj. Edhe pse synohet të përdoret për një kohë relativisht të shkurtër, dollama është një traditë shumë specifike pasi transmetohet brez pas brezi. Derisa disa nga elementet dhe teknika e përpunimit mund të kenë pësuar ndyshime të vogla, traditat e krijimit dhe paraqitjes së dizajnit janë ruajtur. Një tjetër element i rëndësishëm i kësaj zeje është se përdoret nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, ku secili komunitet ka elemente apo dizajne unike të kësaj veshjeje tradicionale.

Mirëpo, ashtu si shumë zanate të tjera të trashëgimisë shpirtërore, tradita e përpunimit të dollamës është gjithashtu në rrezik për shkak të shumë faktorëve si: prodhimi masiv (industrial), globalizmi, etj., veçanërisht pasi njohuritë dhe aftësitë që lidhen me të nuk përcillen në brezat e rinjë dhe procesi nuk është i dokumentuar në mënyrë të duhur. Përveç kësaj, vetëm një pjesë e vogël e bizneseve të vogla prodhojnë/përpunojnë dollama. Kështu, bazuar në të dhënat e cekura më sipër dhe angazhimit të vazhdueshëm të EC Ma Ndryshe për mbrojtjen dhe avancimin e trashëgimisë kulturore, ky projekt kishte për qëllim që të kontribuojë në ruajtjen e kësaj tradite me fokus në Rajonin Zhvillimor Jug gjegjësisht komunën e Prizrenit, Dragashit, Mamushës, Rahovecit, Suharekës dhe Malishevës. Për më tepër, projekti synon të dokumentojë dhe ta promovojë këtë traditë, si dhe të kontribuojë në uljen e papunësisë duke rritur mundësitë e grave të trajnuara për vetëpunësim apo angazhim në themelimin e bizneseve.

Më konkretisht, rezultatet e arritura nga ky projekt janë: i. kontributi në trashëgiminë e zanatit të prodhimit në mënyrë punëdore të veshjeve tradicionale të nusërisë -dollamave duke trajnuar 24 gra/vajza nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Rajonin Zhvillimor Jug për të prodhuar dollama punëdore; ii. asistimi i 6 gra/vajza’ve duke siguruar lëndë të para dhe mjete për të kryer individualisht këtë zanat; iii. promovimi i turizmit kulturor të Rajonit Zhvillimor Jug për turistët vendas dhe të huaj me fokus në veshjet tradicionale të nusërisë përmes kësaj platforme, video dokumentarit dhe panairit.

Kjo webfaqe është zhvilluar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajta e saj është përgjegjësi e vetme e organizatës “EC Ma Ndryshe” dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe të partnerit implementues Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Projekti i zbatuar nga OJQ EC Ma Ndryshe “Dollama, një pasuri kulturore e Kosovës” është pjesë e grantit të financuar nga projekti “Trashëgimia Kulturore si Nxitëse e Dialogut Ndërmjet Komuniteteve dhe Kohezionit Social” që financohet nga Shërbimi për Instrumentet e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (FPI) dhe i zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

© 2022 EC Ma Ndryshe